Manastirliu RTSH

Manastirliu RTSH

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, premtoi zgjerim të programeve për shëndetin e fëmijëve në shkolla. Në një aktivitet të organizuar për 1 Qershor me fëmijët e të gjitha komuniteteve, ministrja foli për programet për shëndetin e fëmijëve në shkolla, atë të shikimit dhe kujdesit oral, që lehtësojnë prindërit nga kontrollet rutinë që duhet të kryenin për fëmijët e tyre, citon “RTSH”.

“Kujdesi shëndetësor në shkolla ka filluar të jetë jo vetëm nëpërmjet programeve të vogla, por edhe nëpërmjet programeve kombëtare. Ku të gjithë nxënësit në shkolla nga klasa e parë deri në klasën e nëntë të mund të kontrollojnë shikimin. Gjithashtu kemi edhe një program të kujdesit për dhëmbët”, -tha Manastirliu.

Duke uruar fëmijët për festën e 1 Qershorit, Manastirliu tha se të gjitha institucionet janë bashkë për të siguruar arsimim dhe një të ardhme më të mirë për ta.

“Ne jemi këtu për të bashkuar forcat që e ardhmja juaj të jetë më e mirë. Ne ndoshta me të gjitha këto që po ndodhin nuk do të jemi të aftë të parashikojmë çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por për një gjë jemi të aftë, të përgatisim fëmijët për t’u përballur me të nesërmen”, -tha Manastirliu.