Konferenca e kryetareve per presidentin RTSH

Konferenca e kryetareve per presidentin RTSH

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që raundi i katërt për zgjedhjen e Presidentit të Republikës të zhvillohet ditën e shtunë në orën 18:00.

Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi këtë datë, kur po ashtu do të bëhet edhe depozitimi i kandidaturave deri në orën 12:00, ndërsa Komisioni për Administratën Ligjore mblidhet në orën 16:00 për shqyrtimin e kandidaturave të depozituara në Kuvend.

Kreu i grupit parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, Fatmir Mediu, tha se vendi ka nevojë për një president konsensual dhe se, sipas tij, në tre raundet e para u abuzua.

“Duhet të jemi të unifikuar, në këtë rast opozita është e panevojshme në proces, absurde që të kërkosh përjashtimin e një pale dhe të kërkosh ta zgjedhësh ti, opozita nuk mund të ngelet në mëshirën e PS-së, opozita duhet të ndërtojë një raport me opinionin politik, opozita marrëveshjen e ka me qytetarët shqiptarë, opozita ka pasur dhe ka njerëz dinjitoz për të qenë president, të përcaktonte një kandidat, apo 2, për t'i vënë përballë PS-së në mënyrë që ne të mos përfundojmë që të zgjedhim një president sa për të kaluar radhën”, -tha Mediu.

Në raundin e katërt, Presidenti i Republikës zgjidhet me shumicë të thjeshtë, vota që mazhoranca i ka.