Foto:RTSH

Foto:RTSH

Operacioni i katërt për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që gjendeshin në kampet e luftës në Siri, është finalizuar me sukses, njofton “RTSH”.

4 gra dhe 9 fëmijë ndërmjet moshës 6 e 16 vjeç nga Shqipëria mbërritën në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës bashkë me shtetas të tjerë kosovarë që u larguan nga kampet e luftës.

Ata u pritën nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, bashkë me homologun e tij kosovar, Xhelal Sveçla, drejtuesit e policisë së të dy vendeve.

Operacioni i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga ish-zonat e konfliktit në Siri dhe Irak u krye në kuadër të një bashkëpunimi dypalësh dhe me mbështetjen e partnerëve.

Ministri Çuçi tha se do të vijojë puna për riatdhesimin e grave dhe fëmijëve të tjerë që kanë mbetur ende në Siri.

Pas operacioneve të deritanishme, 43 gra dhe fëmijë tashmë janë në gjirin e familjeve të tyre.

Në përfundim të kontrolleve mjekësore paraprake gratë dhe fëmijët e riatdhesuar nisën të transferohen nga aeroporti i Prishtinës drejt Shqipërisë nën shoqërimin e Policisë së Shtetit dhe kujdesin e veçantë të punonjësve të Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.