Këshilli i Ministrave të Shqipërisë miratoi në parim protokollet për anëtarësimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë. Njoftimi u dha nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, pas mbledhjes së qeverisë, në një konferencë për mediet. Ajo tha se Shqipëria ka dhënë dakordësinë për zgjerimin e aleancës dhe përfshirjen në të të Finlandës dhe Suedisë.

“Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam në parim protokollet e aderimit në NATO për Finlandën dhe Suedinë. Pra, dhamë zyrtarisht dakordësinë tonë për zgjerimin e Aleancës dhe përfshirjen në të, të këtyre dy vendeve. Këto protokolle do të kalojnë më pas për ratifikim në Kuvend dhe kur kjo procedurë ratifikimi të jetë kryer në parlamentet e të 30 vendeve anëtare të NATO, por edhe nga parlamentet e vetë Finlandës dhe Suedisë, do të bëhet i mundur pranimi i tyre “de jure” në Traktatin e Atlantikut të Veriut”, -tha ministrja Xhaçka, raporton “RTSH”.

Sipas saj, ky është një zhvillim i rëndësishëm, që forcon akoma më shumë sigurinë në hapësirën euro-atlantike, por që forcon njëkohësisht edhe bashkëpunimin mes NATO dhe Bashkimit Europian.

Kryediplomatja Xhaçka deklaroi se Shqipëria ka mbështetur gjithmonë politikën e dyerve të hapura nga ana e NATO-s për të gjitha ato vende që plotësojnë kriteret e anëtarësimit. (Irma)