Kule per vaksinimin atsh

Kule per vaksinimin atsh

5 fëmijë me Covid-19 po marrin aktualisht trajtim spitalor. Shefja e Shërbimit të Pediatrisë Infektive në QSUT, Gjeorgjina Kule, u bëri thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët mbi 12 vjeç.

Në një prononcim për mediet, Kule theksoi se fëmijët e shtruar në spital kanë një bronkopneumoni shoqëruese, gastrointerite me shenja të rënda të humbjes së lëngjeve, por jo kërcënuese për jetën.

Sipas saj, problem mbetet post-Covid, i cili shfaqet me disa simptoma.

“Te fëmijët janë pasoja apo shenja, të cilat ne mund t’i neglizhojmë, madje jo vetëm prindërit por edhe mjekët mund mos t’i lidhin me kalimin e Covid, siç është dhembja e kokës e herëpashershme ose në formë krizash, gjë që bëhet shkak edhe për prishjen e cilësisë së jetës apo për mosfrekuentimin e fëmijëve në shkollë”, -nënvizoi Kule, duke shtuar se këto zgjasin zakonisht 3 muaj pas kalimit të sëmundjes, por mund të shkojnë deri në 1 vit.

Kule tha se pavarësisht nëse kanë kaluar apo jo Covid-in, fëmijët duhet të bëjnë patjetër të dyja dozat e vaksinimit, sepse edhe fëmijët krejtësisht të shëndetshëm mund të bëjnë komplikacione të rënda.

Aktualisht në Shqipëri po aplikohet vaksina kundër Covid-19 te të gjithë fëmijët mbi 12 vjeç. Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, rreth 5% e grupmoshës 12-16 vjeç e kanë kryer vaksinën.