ibrahimaj-Atsh

ibrahimaj-Atsh

“Zhvillimi i kapitalit njerëzor” ishte në qendër të konferencës së nivelit të lartë mbi Evropën Juglindore, organizuar në Paris nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Në panelin ku mori pjesë edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, diskutimet u përqendruan në sfidat dhe mundësitë e ndryshme të zhvillimeve teknologjike në ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe tregjet e tyre të punës, si dhe mbi nevojën për të prodhuar aftësi që përputhen me nevojat e tregut të punës.

Në fjalën e saj, ministrja foli për digjitalizimin e shërbimeve publike në Shqipëri dhe theksoi rëndësinë e hartimit të politikave, të cilat lejojnë shfrytëzimin e përfitimeve të revolucionit digjital, në mënyrë që të maksimizohen përfitimet nga teknologjia e re dhe të minimizohen pengesat e pashmangshme afatshkurtra.

Ministrja Ibrahimaj tha se kriza e pandemisë Covid-19 përshpejtoi procesin e transformimit digjital në Shqipëri si në sektorin privat, ashtu edhe shërbimet e ofruara nga qeveria.

Ministrja bëri një prezantim të progresit të shënuar nga qeveria në reformën e digjitalizimit dhe ndikimit të saj në fushat kryesore të vendit, ndërsa theksoi faktin se digjitalizimi i shërbimeve qeveritare nisi më herët, që nga janari 2020, ku të gjitha aplikimet për shërbime publike ishin të disponueshme online përmes portalit “e-Albania”.

Ibrahimaj informoi se që nga data 1 maj 2022, 95% e shërbimeve publike dhe kërkesave nga të gjithë qytetarët dhe aplikacionet e biznesit janë të disponueshme vetëm online me nënshkrim elektronik dhe të monitoruara në kohë reale.

Në total, janë 2.5 milionë qytetarë dhe biznese të regjistruara, të cilat marrin shërbime ditore, ku mesatarisht brenda një dite pune shërbehen rreth 2000 qytetarë dhe ofrohen rreth 50.000 shërbime.

Ministrja Ibrahimaj deklaroi se ambicia e qeverisë është që brenda vitit 2023 procesi i punës brenda administratës të kalojë pa letër, përmes një sistemi të centralizuar.