Komisioni-Europian Monitor

Komisioni-Europian Monitor

Komisioni Evropian, në raportin e tij të pranverës, ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2.7%, nga 3.7% që ishte pritshmëria në raportin e nëntorit të vitit të kaluar.

Komisioni paralajmëron se Shqipëria mund të përballet me mbingarkesa në borxhin publik për shkak të subvencioneve të energjisë, ndërsa do të jetë e detyruar të ulë shpenzimet publike për investime, raporton “Monitor”.

Rishikimi ka ardhur në kuadër të uljes së bërë për të gjithë Evropën, si rrjedhojë e pasojave që po sjell lufta në çmimet e energjisë dhe në inflacion.

“Për vitin 2022 dhe 2023, rritja në Shqipëri pritet të jetë përkatësisht 2.7% dhe 3.1%, e ndikuar kryesisht nga ndikimi i pushtimit rus të Ukrainës, edhe pse vetëm në mënyrë indirekte pasi Shqipëria ka pak ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj të dyja vendeve. Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë ka shtyrë qeverinë të ofrojë mbështetje shtesë dhe këto masa do të shtyjnë për në vitin 2023 një përmirësim domethënës në financat e qeverisë”, -thuhet në raport.

“Pas rimëkëmbjes së fortë të shumicës së komponentëve të kërkesës në vitin 2021, pritjet për një kthim në normën mesatare historike mbi 3% të rritjes janë dobësuar nga ndikimi i luftës në partnerët kryesorë tregtarë të BE-së, zinxhirët e furnizimit dhe çmimet e mallrave. Pasiguria për efektin ekonomik të këtyre ndërprerjeve, krahas shtrëngimit të mundshëm të kushteve të financimit, pritet të frenojë rritjen e konsumit dhe investimeve private. Investimet publike, në veçanti përfundimi i rindërtimit pas tërmetit, do të vazhdojnë të mbështesin ekonominë, por më pak se sa ishte planifikuar pasi shpenzimet publike prej rreth 1.5% të PBB-së janë riorientuar për të subvencionuar energjinë elektrike dhe karburantin, si dhe rritjen e mbështetjes sociale”, -thuhet në raport.

Komisioni paralajmëron se kjo perspektivë është subjekt i rreziqeve negative, kryesisht të lidhura me ndikimin e një rritjeje të qëndrueshme të çmimit të energjisë, shoqëruar me prodhimin e ulët të hidrocentraleve vendase për shkak të reshjeve të pamjaftueshme, siç shihet tashmë në tremujorin e parë 2022. Në këtë rast, fatura e importit të energjisë elektrike në Shqipëri do të rritet ndjeshëm dhe, përveç zgjerimit të deficitit tregtar, mund të mbingarkojë buxhetin publik.