Më 10 maj, ambasadori kinez në Tiranë, z. Zhou Ding, u takua me kryetaren e Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë Mimi Kodheli. Të dy palët zhvilluan diskutime të thella mbi marrëdhëniet kino-shqiptare, shkëmbimet ndërmjet organeve ligjvënëse të të dy vendeve, si dhe çështjet e nxehta ndërkombëtare.

Në takim, ambasadori Zhou tha se Kina dhe Shqipëria kanë një miqësi të thellë tradicionale dhe historia e shkëmbimeve miqësore mes tyre është pasuri e përbashkët shpirtërore e të dy popujve. Kina e konsideron gjithmonë Shqipërinë si mike e partnere dhe është përkushtuar aktivisht për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme. Shkëmbimet ndërmjet organeve ligjvënëse përbëjnë pjesë të rëndësishme të marrëdhënieve kino-shqiptare. Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës dhe Konferenca Konsultative Politike e Popullit Kinez kanë ruajtur kontakte afatgjata miqësore me Kuvendin e Shqipërisë. Ambasadori Zhou shprehu shpresën që të dy palët do të thellojnë më tej shkëmbimet e bashkëpunimin në fusha të ndryshme për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të marrëdhënieve Kinë-Shqipëri.

Ndërsa znj. Kodheli u shpreh nga ana e saj se, si ekonomia e dytë për nga madhësia në botë, Kina ka ruajtur prirjen e fortë të zhvillimit dhe po luan një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Kuvendi i Shqipërisë është i gatshëm të forcojë shkëmbimet e bashkëpunimin me organin ligjvënës kinez, për të nxitur zhvillimin më të shpejtë dhe më të mirë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.