Më 7 maj, ambasadori kinez në Tiranë, z. Zhou Ding, mori pjesë me ftesë në panairin e “Neranxi Food Festival 2022”. I shoqëruar nga presidenti i “Neranxi Group”, Nikollaq Neranxi, përfaqësuesi diplomatik i Kinës vizitoi pavijonet me produktet dhe risitë e vitit 2022 në fushën e kulinarisë dhe shërbimeve, si edhe Institutin Kulinar të kësaj kompanie me mbi 1000 studentë.

Ambasadori Zhou tha se, pavarësisht ndikimeve të pandemisë, bashkëpunimi kino-shqiptar në fushën ekonomiko-tregtare ka ruajtur një prirje të mirë zhvillimi. Në tremujorin e parë të këtij viti, eksportet e Shqipërisë në Kinë u rritën 67 %. Të dy palët kanë perspektivë të gjerë bashkëpunimi në fusha të tilla si tregtia e produkteve bujqësore e ushqimore. Sipas tij, ushqimet dhe pijet e larmishme janë pjesë e rëndësishme e kulturës së pasur shqiptare dhe ia shtojnë bukurinë asaj. Ambasadori shprehu shpresën që më shumë kompani shqiptare si “Neranxi” të forcojnë bashkëpunimin me partnerët kinezë, duke eksploruar tregun kinez dhe duke nxitur shkëmbimet ndërmjet kulturave ushqimore lindore dhe perëndimore.

Nga ana e tij, z. Nikollaq Neranxi e falënderoi ambasadorin Zhou dhe ambasadën kineze për përpjekjet që kanë bërë në nxitjen e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare ndërmjet dy vendeve. Ai u shpreh se kompania e tij është e gatshme të marrë pjesë aktive në veprimtaritë e ambasadës, për të dhënë kontribut në promovimin e kulturës ushqimore kineze në Shqipëri.

Në panair, dhjetëra ndërmarrje ushqimore shqiptare e europiane paraqitën produktet dhe shërbimet e tyre për mijëra vizitorë.