Dyfishohen problemet e shëndetit mendor në popullatën shqiptare. Pas 2 viteve pandemi, mjekët po përballen më fluks të shtuar pacientësh që vuajnë kryesisht nga stresi dhe ankthi.

Specialistët deklaruan për “A2” se të rinjtë, 20 deri 45 vjeç, janë grupmosha më e stresuar. Tek ta dominojnë çrregullimet e ankthit, të humorit, stresi dhe pagjumësia.

“Sipas OBSH-së, një në katër persona vuan nga probleme të shëndetit mendor. Kjo shifër mund të jetë akoma më e lartë, duke parë dyfishimin e vizitave ditore në vend”, -thonë specialistët shqiptarë.

Por mes të rinjve që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor po vihet re përdorimi i medikamenteve të rrezikshme pa recetë, ndaj mjekët u bëjnë thirrje farmacistëve dhe prindërve që të bëjnë kujdes.

Çrregullimet e shëndetit mendor nuk kanë kursyer as të vegjlit. Mjekët psikiatër thonë se janë shtuar fëmijët që vuajnë nga stresi dhe ankthi veçanërisht pas pandemisë dhe problemeve që shkaktoi izolimi. (Irma)