Rritja e vazhdueshme e çmimeve, sidomos atyre të ushqimeve rezulton se po rëndon buxhetin e familjeve çdo muaj e më shumë.

BSH - situata e familjeve Monitor

BSH - situata e familjeve Monitor

Sipas vrojtimit të Besimit të Konsumatorëve të Bankës së Shqipërisë për muajin prill, shumica e familjeve kanë deklaruar se situata e tyre financiare është përkeqësuar gjatë 12 muajve të fundit. Nga vrojtimi del se 17% më shumë familje mendojnë që situata e tyre familjare është përkeqësuar 12 muajt e fundit, në raport me ata që thonë se është përmirësuar.

Ky është niveli më negativ që nga prilli 2020 (-18.4), kur vendi sapo kishte filluar të vuante pasojat e pandemisë dhe vendosjes së karantinës, që mbylli papritmas shumë biznese dhe la shumë të papunë, bën të ditur “Monitor”. Më pas, situata filloi të përmirësohej gradualisht, por nisja e rritjes së çmimeve duket se ka përkeqësuar sërish buxhetet e familjeve, që me të njëjtën sasi parash po blejnë gjithnjë e më pak produkte.

Në prill, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, kërceu në 6.2% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Ky është një tjetër rekord i ri, pas nivelit të marsit, që arriti në 5.7%. Kjo është rritja më e fortë e çmimeve me të cilën po përballen familjet dhe individët që nga viti 2001, kur inflacioni ishte 7.6%.

Ky shtrenjtim duket se ka goditur më shumë familjet me të ardhura të ulëta. Shpenzimet e familjeve shqiptare për blerjen e produkteve bazë të shportës, si bukë, vaj, bulmet dhe sheqer janë rritur me ritme dyshifrore në prill, ushtruar presion të lartë sidomos tek buxhetet e familjeve të varfra. Nga vrojtimi i Bankës së Shqipërisë rezultoi një përmirësim i lehtë për pritshmëritë për blerjet e mëdha për makina, shtëpi apo për rinovim shtëpish. Pesimizmi për pritshmëritë financiare për 12 muajt e ardhshëm është ulur disi në vrojtimin e prillit, ndonëse balanca mbetet ndër nivelet më negative që kur hartohet ky indeks.