Semundja e Lise

Semundja e Lise

Pas qetësimit të situatës nga pandemia, kanë nisur rishfaqjen sëmundjet ngjitëse, kryesisht te fëmijët. Lia e dhenve, e njohur ndryshe si varicela, këtë periudhë ka shtuar numrin e të prekurve.

Mjekët infeksionistë tregojnë se dimri dhe pranvera janë stinët kur kjo sëmundje përhapet më shumë te fëmijët e kopshteve dhe shkollave. Nuk kanë munguar rastet me varicelë që kanë kërkuar trajtim spitalor, ndaj mjekët këshillojnë prindërit të mos neglizhojnë sëmundjen.

Mjekja infeksioniste Rajda Petrela thotë për “A2 CNN” se sëmundja e lisë transmetohet nga kontakti me të sëmurin.

Varicela shfaqet me temperaturë, me shenja të kuqe dhe më pas puçrra në të gjithë trupin që, sipas mjekëve, kërkojnë kujdes të veçantë. Infeksionistët thonë se kjo sëmundje vijon të ketë përhapje në Shqipëri, pasi në kalendarin e vaksinimit nuk është futur ende vaksina kundër varicelës. Kalimi i sëmundjes së varicelës lë imunitet të përhershëm. Te të vegjlit, sëmundja ka forma më të lehta, ndërsa të rriturit e kalojnë më rëndë.