Çmimet e ushqimeve (Foto Alsat)

Çmimet e ushqimeve (Foto Alsat)

Shpenzimet e familjeve shqiptare për blerjen e produkteve bazë të shportës, si bukë, vaj, bulmet dhe sheqer janë rritur me ritme dyshifrore në prill, nga 14 deri në 24 për qind, duke ushtruar presion të lartë sidomos te buxhetet e familjeve të varfra.

INSTAT-i raportoi se ritmet e rritjes së çmimit të bukës u intensifikuan më tej gjatë prillit, teksa çmimet ishin 16.7% më të larta se prillin e kaluar. Rritjen më të lartë e pësoi çmimi i vajit, i cili muajin e kaluar ishte 24.2 për qind më e i lartë se vjet në prill, raporton “Monitor”.

Pas vajit rritja më e lartë ishte për çmimet e vezëve dhe të bulmetit me rreth 17%. Çmimet për këto produkte po rriten ndër tjerash prej problematikave që po kalon sektori i blegtorisë, ku po vihet re një rënie e madhe numrit të krerëve vitet e fundit. Ndërkohë, gripi që ra këtë pranverë në pularitë më të mëdha në vendit uli ndjeshëm ofertën për vezë në treg duke ndikuar në rritjen e çmimit.

INSTAT-i raportoi se çmimet e ushqimeve në prill u rritën mesatarisht 10% më shumë se i njëjti muaj i vitit të kaluar. Por Banka Botërore në një vlerësim të fundit për ecurinë ekonomisë në rajonin e Ballkanit vuri në dukje se inflacioni zyrtar në Shqipëri pasqyron më shumë inflacionin e të pasurve, ndërsa inflacioni i të varfërve (20% e popullsisë) që jeton me të ardhura të ulëta paguan një faturë më të shtrenjtë se raportimet zyrtare. Familjet e varfra në Shqipëri çojnë gati 60 për qind të buxhetit mujor për konsumin e ushqimeve, ndaj shtrenjtimi i tyre me shumë gjasë do të përkeqësojë mbijetesën e tyre. Shqipëria ka rreth 640 mijë njerëz që jetojnë ne varfri, me më pak se 5.4 dollarë në ditë, duke e renditur vendin me varfërinë më të madhe në rajon ndonëse me rënie të djeshme nga viti 2020. Përveç artikujve ushqimorë, çmimi i karburanteve në prill u rrit me mbi 22 për qind.