Foto: Lexoal
Me ftesë të papa Françeskut, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, vizitoi ditët e fundit shtetin e Vatikanit, ku u prit në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë.
Bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve në Shqipëri, Dokumenti i Vëllazërisë Njerëzore i nënshkruar midis imamit të madh të Al-Az’har, Ahmed Tajib, dhe papa Fançeskut, ishin temë kryesore e bisedës kokë më kokë 30 minutëshe.
Dy krerët e lartë fetarë ndanë mendime të njëjta për rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërnjerëzore, kontributin që ajo luan për ruajtjen e këtyre vlerave, sidomos në mbrojtjen e familjes, si qelizë themelore e shoqërisë, rol të cilin ata e vlerësuan si të paçmueshëm.
Papa vlerësoi rolin e veçantë që luan kryetari Spahiu në promovimin dhe përhapjen kudo në Shqipëri të Dokumentit të firmosur në Abu Dhabi mbi vëllazërimin njerëzor.
Takimi midis papës dhe kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është i pari që prej themelimit të KMSH-së.