Foto: ATSH

Foto: ATSH

Në kuadër të diskutimit të nivelit të lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara mbi turizmin e qëndrueshëm, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, u prit në Nju Jork nga sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit (UNËTO) Zurab Pololikashvili.

Në takim, ministrja Kumbaro bëri një paraqitje të arritjeve të Shqipërisë në sektorin e turizmit gjatë viteve të fundit dhe nevojën për sigurimin e një turizmi cilësor,

“Infrastruktura është vendosur në dispozicion të turizmit, me ndërtimin e një aeroporti të dytë në veri dhe së shpejti me ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Jemi të qartë në vizionin tonë dhe duam të ndërtojmë turizëm të qëndrueshëm. Kërkojmë asistencën tuaj për të ndërtuar një sistem të dhënash për turizmin, përmes një metodologjie të re dhe të besueshme”, - tha gjatë takimit ministrja Kumbaro.

Zurab Pololikashvili ofroi mbështetjen e plotë, duke u shprehur entuziast për rritjen e sipërfaqeve të zonave të mbrojtura në Shqipëri si një shembull real i turizmit të qëndrueshëm. Ai vlerësoi punën e ministres Kumbaro, ndërsa kishte propozime konkrete për bashkëpunim dhe asistencë.

“Pjesëmarrja juaj këtu rrit vizibilitetin e Shqipërisë. Ne kemi nisur të ndihmojmë vende të ndryshme në ndërtimin e udhëzimeve për të përfituar investime dhe këtë duam ta bëjmë edhe me Shqipërinë. Praktikisht ofrojmë modele të suksesshme që mund të përshtaten në kontekstin tuaj. Përmes guidave tona ne u sugjerojmë investitorëve të mundshëm destinacionin e Shqipërisë. Kjo është një faqe e re e bashkëpunimit tonë dhe jam më se i lumtur të vizitoj vendin tuaj në muajt e ardhshëm. Ndihma jonë do të jetë në inovacion, qëndrueshmëri dhe edukim”, - tha gjatë takimit Pololikashvili.

Kumbaro dhe Pololikashvili ranë dakord për të organizuar në Shqipëri një prej eventeve vjetore të Organizatës Botërore të Turizmit, siç është mbledhja vjetore e Komisionit Evropian me ministrat e Turizmit të Evropës. Organizata Botërore e Turizmit është pjesë e OKB-së, e fokusuar prej vitit 1975 në promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe të aksesueshëm globalisht.