Foto:aplikimet

Foto:aplikimet

Të gjitha sportelet e institucioneve të shërbimeve tashmë janë të mbyllura dhe qytetarët duhet të kërkojnë shërbimet që iu nevojiten nëpërmjet platformës digjitale e-Albania. Gjithashtu po punohet që brenda 2023-shit dokumentet shtetërore të jenë digjitale.

Kështu deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj gjatë një interviste televizive, cituar nga “ATSH”.

Ministrja theksoi se 2.5 milionë qytetarë apo biznese kanë tashmë një llogari në e-Albania dhe më shumë se 2000 aplikime bëhen çdo ditë me qëllim marrjen e shërbimeve. Ky numër sigurisht do të rritet me mbylljen e sporteleve, por edhe shpejtësia e shërbimit do të rritet.

Në rastet kur qytetarët kërkojnë dokument origjinal, Ibrahimaj bëri të ditur se ka disa sportele që do të qëndrojnë të hapura në këto raste.

“Kjo është arsyeja pse jo 100% e sporteleve do të mbyllen për çdo institucion, do të mbyllen shumicat e tyre, por për ato dokumente që duhen origjinale do të vijojë të ketë një minimum. Brenda vitit 2023 synojmë që të gjitha platformat, e gjithë qeveria të funksionojë pa letra dhe i gjithë dokumentacioni të jetë digjital. Është një punë e madhe që po bëhet. Ne jemi sot në këtë hap pasi jemi të sigurt që ato shërbime që tashmë janë online të mund të ofrohen pa pasur nevojë për sportele”,- përfundoi ajo.