Foto:Alsat

Foto:Alsat

Shkencëtarët kanë krijuar modelin e parë të rrezikut nga tërmetet për të gjithë Europën. Ky model do të përbëjë bazën për masat që mund të ndërmerren për t’i bërë komunitetet më elastike ndaj ndikimeve të fatkeqësive natyrore. Modeli tregon se Shqipëria, Turqia, Greqia, Italia dhe Rumania janë vendet me rrezikun më të lartë të tërmeteve në Europë, të ndjekura nga vendet e tjera të Ballkanit.

Gjithashtu edhe qyteti i Tiranës, së bashku me Zagrebin (Kroaci), Sofjen (Bullgari), Lisbonën (Portugali), Brukselin (Belgjikë) dhe Bazelin (Zvicër) kanë një nivel mbi mesatar të rrezikut nga tërmeti, bën të ditur “Alsat”.

Tërmetet kanë qenë përgjegjës për më shumë se 200.000 vdekje si dhe 250 miliardë euro dëme në Europë gjatë shekullit XX.

Për shkak se nuk mund të parashikohet me saktësi se kur dhe ku do të ndodhin në të ardhmen, zonat në rrezik të veçantë duhet të ndërtojnë shtëpi dhe godina që mund t’i rezistojnë tërmeteve pa pasur shumë dëme.

Sizmiologët, gjeologët dhe inxhinierët europianë kanë rishikuar modelin ekzistues të rrezikut nga tërmetet për Europën që u publikua për herë të parë në vitin 2013 dhe gjithashtu kanë krijuar për herë të parë një model të rrezikut të tërmetit për të gjithë kontinentin.