Foto: Visual People

Foto: Visual People

Kryeministri italian, Mario Draghi, deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të dalë më i fortë nga sfidat historike të paraqitura nga konflikti Rusi-Ukrainë dhe mos ta shohë zgjerimin si rrezik.

Ai shprehu mbështetjen e Italisë për hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shkruan “Top Channel”.

“Ky nuk është një kërcënim për projektin evropian, por pjesë e zbatimit të tij. Italia mbështet hapjen e menjëhershme të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ne duam po ashtu të nxisim negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi dhe duam të mbështesim pritshmërisë e Bosnjë-Hercegovinës”, - tha Draghi në mbledhjen e Parlamentit Evropian në Strasburg, të martën.

Ai theksoi se konflikti në Ukrainë është një krizë sigurie, humanitare, energjetike dhe ekonomike e gjitha në një, që ka zbuluar se institucionet ekzistuese të BE-së ishin të papërshtatshme në përgjigjen e tyre.

Draghi tha se zgjerimi i BE-së drejt lindjes ishte kyç, duke përfshirë edhe anëtarësimin e Ukrainës, duke shtuar se duhen integruar plotësisht vendet që kanë aspirata evropiane.

Disa ditë pas nisjes së konfliktit, Ukraina kërkoi me ngulm për hyrje të shpejtë në BE. Brukseli zyrtar u përgjigj duke thënë se procesi ishte rigoroz, kompleks dhe zgjat me vite, por i ofroi Kievit zyrtar një fazë vlerësimi paraprak të përshpejtuar.