“Projeksionet e rishikuara pas fillimit të agresionit ushtarak në Ukrainë, sugjerojnë presione të qëndrueshme inflacioniste në afat të shkurtër, të cilat mund të shoqërohen me rritje të kostove të prodhimit, rënie të konsumit dhe të investimeve, dhe ngadalësim të rritjes ekonomike.”- Ky është qëndrimi i Bankës së Shqipërisë në publikimin e raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021.

Për sektorin bankar, mbetet aktuale rëndësia e vlerësimit të rregullt të shkallës së ekspozimit ndaj rreziqeve të reja dhe e ruajtjes së një qëndrimi proaktiv në drejtim të marrjes së masave për zbutjen dhe përballimin e tyre.

Në intervistën e publikuar nga Banka e Shqipërisë, Klodian Shehu, Drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar flet konkretisht për efektet e luftës Rusi- Ukrainë.

Megjithëse ekspozimi i drejtpërdrejtë i sektorit bankar shqiptar në tregjet dhe instrumentet financiare të vendeve të përfshira në luftime është i parëndësishëm, ndikimi mund të vijë tërthorazi nëpërmjet rënies së besimit të familjeve dhe të bizneseve në vend, ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe dobësimit të performancës së huamarrësve në sektorët më të ekspozuar

“Përsa i takon rreziqeve të shtuara ato kanë patur efekt në ekonominë shqiptare në drejtim të presioneve inflacioniste që mund të çojë në rënie të konsumit dhe ngaldalalësim të rritjes ekonomike. Edhe sektori bankar do ta ndjejë këtë. Sa i takon ekspozimit të sektorit bankar nga situata në Ukrainë, na rezulton se sektori bankar ka ekspozime minimale, nuk kemi banka që origjinojnë nga ato vende në Shqipëri”- tha Shehu.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën me ritme të shpejta, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme.

Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Zhvillimet ekonomike përgjatë vitit 2021 ishin mjaft pozitive, ndonëse rritja ekonomike, ulja e normës së papunësisë dhe goditjet nga krahu i ofertës, u shoqëruan me rritje të presioneve inflacioniste në fund të periudhës.

Në intervistë Klodian Shehu, Drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar jep më shumë detaje për situatën e periudhës së marrë në analizë.

“Ky është raporti i 7-të i stabilitetit financiar dhe vlerëson në tërësi gjendjen e sistemit fiananciar bankar. Në tërësi gjendja vlerësohet e mirë. Kemi patur një rritje të depozitave në sektorin bankar nga publiku si në lekë dhe në euro. Rritja e kredisë ka qenë gjithëpërfshirëse”- tha Klodian Shehu, Drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar.

Rezultatet e ushtrimeve të provës së rezistencës, mbështesin vlerësimet për gjendjen e mirë financiare të sektorit bankar. Për të vlerësuar rezistencën e sektorit bankar ndaj goditjeve nga ekonomia reale ose tregjet financiare në një horizont afatmesëm, Banka e Shqipërisë kryen në mënyrë periodike ushtrimet e provës së rezistencës. Pozicioni i likuiditetit të sektorit bankar vlerësohet në nivele të mira, por ka nevojë për monitorim të kujdesshëm.

“Rezistenca e sektorit bankar lidhet kryesisht me përfitueshmërinë e veprimtarisë dhe pozicionin kapitalin e tij. Në vitin 2021 fitimi sektorit bankar është rritur . Në tërësi bankat paraqiten të mirëkapitalizuara”- shprehet Shehu.