Foto:VCG

Foto:VCG

Duke nisur që nga 1 maji, të gjithë vizitorët dhe turistët mund të hyjnë në territorin e Shqipërisë pa certifikatë vaksinimi, shkruan “ATSH”.

Masat e reja të vendosura nga Komiteti i Ekspertëve hyjnë në fuqi duke e renditur Shqipërinë mes shteteve që kanë lehtësuar masat për koronavirusin.

Komiteti vendosi heqjen e detyrimit për të paraqitur dokument vaksinimi për Sars Cov2, dokument të testimit negativ për infeksionin Sars Cov2 apo çertifikatë shërimi nga ky infeksion për të gjithë shtetasit që hyjnë në vendin tonë nga çdo pikë kufitare.

Gjithashtu, Komiteti i Ekspertëve të shëndetësisë vendosi heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskave, por rekomandon mbajtjen e tyre në ambiente të mbyllura dhe sidomos në ato të paajrosura mirë si dhe vendosën lejimin e muzikës pas orës 23:00 dhe rihapjen e klubeve të natës.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur përgatitjet për të riorganizuar punën për hapjen e 29 qendrave shëndetësore verore të cilat përgjatë sezonit turistik do të vijojnë të jenë në shërbim 24 orë për turistët.