Tiranës i shtohet një tjetër destinacion që pritet të tërheqë jo vetëm turistë të huaj, që duan të eksplorojnë natyrën e bukur që ofron zona e Petrelës, por dhe shumë të pasionuar pas sportit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi të parin “Zipline” në Shqipëri, që është njëkohësisht edhe më i gjati në rajon. Veliaj u shpreh se ky investim është një arsye më shumë për të dalë nga qendra dhe për të shijuar zonat rurale, shkruan “ATSH”.

“Sfida për ne ka qenë si të vizitojmë Tiranën përtej zonave më të frekuentuara. Sigurisht, filluam mirë me Liqenin e Farkës, por na duheshin ëndërrimtarë për të eksploruar edhe shtigjet e maleve në Farkë, në Shëngjergj, por edhe rrugët e shtigjet e biçikletave në Zall Bastar. Tashmë kemi realisht qershinë mbi tortë. I kemi dhënë arsye dikujt të dalë nga asfalti i Tiranës, për të shijuar këtë zonë fantastike, që është zona e Petrelës”, -tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje agjencive turistike që të përfshijnë në guidat e tyre turistike dhe rrethinat e Tiranës, që ofrojnë jo vetëm histori, por dhe shumë eksperienca fantastike.