leku, depozitat, epokaere

leku, depozitat, epokaere

Depozitat shënuan rënie për të dytin muaj radhazi në mars, në një sinjal se kriza e shkaktuar nga çmimet e larta po ndikon në aftësinë e familjeve për të kursyer, ndërsa bizneset po detyrohen që të shpenzojnë likuiditetet e tyre.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në muajin mars ishte 1.23 trilionë lekë (10 miliardë euro), me një rënie prej 0.1% në krahasim me muajin e mëparshëm, raporton “Monitor”.

Rënia ka ardhur e gjitha nga kursimet në lekë, ndërsa depozitat në valutë kanë vijuar të rriten.

Depozitat në lekë u tkurrën me 1.1% në mars (-5.8 miliardë lekë) në raport me muajin e mëparshëm, të ndikuara si nga kursimet e korporatave jofinanciare, ashtu dhe nga ato të individëve.

Ndërsa depozitat në monedhë të huaj, kryesisht ato në euro, kanë shënuar rritje. Kursimet në valutë u zgjeruan me 1.3% në mars, në krahasim me muajin e mëparshëm, të ndikuara si nga korporatat financiare, ashtu dhe nga individët. (Irma)