liqeni ohrit, topchannel

liqeni ohrit, topchannel

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, u takua në Pogradec, me homologun maqedonas, Naser Nuredini, si dhe me kryetarët e bashkive liqenore, për të diskutuar mbi Liqenin e Ohrit dhe kriteret që duhen zbatuar për të ruajtur statusin e UNESCO-s.

Përmes një njoftimi zyrtar, ministrja Kumbaro tha se pesha dhe përgjegjësia është e madhe, pasi bëhet fjalë për një trashëgimi natyrore dhe kulturore.

“Na del detyrë të ndërtojmë jo thjesht ura juridike në përputhje me konventat ndërkombëtare të UNESCO-s, por ura njerëzore, profesionale dhe besimi Shqipëri-Maqedoni e Veriut, për ta nxjerrë në dritë një pasuri që është referencë për identitetin tonë në botë dhe një potencial i jashtëzakonshëm turistik e zhvillimor”.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të paraqesin në UNESCO, qershorin e vitit të ardhshëm dosjen me hapat e ndërmarrë për përmbushjen e rekomandimeve për mos të humbur statusin që e përfshin rajonin e Ohrit në listën e pasurive botërore.

Kur mbetet edhe gati një vit afat për përmbushjen e 32 rekomandimeve të UNESCO-s për menaxhimin dhe mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, po ndërmerren hapa për bashkëpunimin në nivel ministror nga Komiteti i Menaxhimit. (Irma)