Foto nga VCG

Pas dy vitesh pandemi, Shqipëria ka hequr të gjitha masat anti-Covid. Më 8 mars 2020, Shqipëria konfirmoi dy rastet e para me koronavirus dhe më 11 mars u shënua vdekja e parë nga koronavirusi në Shqipëri, një grua 73 vjeçe nga Durrësi.

Në dy vite pandemi në Shqipëri kanë humbur jetën 3496 persona. Gjithsej janë infektuar 274.834 persona, prej të cilëve 270,916 janë shëruar. Aktualisht në të gjithë vendin numërohen 422 të infektuar aktivë.

Që prej fillimit të pandemisë në Shqipëri janë kryer mbi 1 milionë e 800 mijë teste te personat e dyshuar si mbartës të virusit Sars Cov-2.

Shumica e të infektuarve e kaluan virusin në banesë, ndërsa rreth 10 mijë morën trajtim të specializuar në spitalet Covid.

Në 11 janar 2021 nisi vaksinimi me bluzat e bardha, ndërsa në mars nisi vaksinimi masiv i popullatës sipas kategorive.

Deri tani Shqipëria ka marrë 3 milionë vaksina, duke imunizuar më shumë se 50% të popullatës mbi 12 vjeç.