Samiti i ardhshëm i liderëve të nismës “Ballkani i Hapur” do të mbahet në gjysmën e parë të qershorit në Ohër. Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pas takimit online me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Në një postim në “Facebook”, Kovaçeski njoftoi mbi diskutimin online me Vuçiç dhe Ramën për hapat e ardhshëm të nismës së tyre të përbashkët. Kovaçevski tha se në fillim të shtatorit bashkërisht do të organizojnë një panair të madh turistik të verërave dhe ushqimeve në Serbi.

Jam i bindur, shtoi kryeministri, se prodhuesit maqedonas të verërave dhe ushqimeve do të kenë çfarë t’i tregojnë rajonit.

“Në Samitin e Ohrit do të nënshkruhen marrëveshje dhe memorandume të rëndësishme për bashkëpunim në kulturë, turizëm dhe ekonomi”, -tha Kovaçevski.

Ai gjithashtu theksoi se nisma mbetet e hapur për Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën.

“Ne jemi Europa së bashku”, -ka theksuar kryeministri në postimin në “Facebook”.