Ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, dhe bashkëshortja, gjatë vizitës së zhvilluar në Korçë, u pritën nga kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo.

Ambasadori kinez, në një postim në “Facebook”, bën të ditur se me kryebashkiakun Filo shkëmbyen mendimet mbi forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si bujqësi, turizëm, kulturë, IT, energji të rinovueshme etj..

“Korça është një qytet i bukur, me natyrën superiore, historinë e lashtë, kulturën e pasur, njerëzit e sjellshëm dhe punëtorë dhe ka potencial të madh zhvillimi. Pres që në të ardhmen të ketë më shumë turistë dhe investitorë kinezë dhe gjithashtu pres që bashkëpunimet e ndryshme të japin fryte konkrete sa më parë”, -shkruan ambasadori.

Kryebashkiaku Filo, në faqen e tij zyrtare, bën të ditur po ashtu se në takim diskutuan për projektet e rëndësishme në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, si dhe projektet në fushën e eficencës së energjisë dhe energjisë së rinovueshme.

“Të hapur për mundësi bashkëpunimi në kulturë, edukim, teknologji, turizëm si edhe në vendosjen e urave të bashkëpunimit në fushën e biznesit”, -shkruan Filo.