Partia Socialiste ka propozuar datën 10 maj për të zhvilluar raundin e parë të votimit për presidentin e ri. Këtë e bëri të ditur kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i cili tha se më 4 maj do të mbahet Konferenca e Kryetarëve, ku do të propozohet futja në rendin e ditës në seancën parlamentare të 10 majit i votimit të presidentit të ri të vendit.

Balla u bëri thirrje grupeve parlamentare që të japin propozimet e tyre dhe të bëhen pjesë e këtij procesi për të gjetur një emër unifikues që do të jetë në krye të vendit për 5 vitet e ardhshme.

“Konferenca e Kryetarëve do të jetë më 4 maj, unë do të propozoja që data 10 maj të ishte mbajtja e raundit të parë të votimit për presidentin e ri. Kjo shtyrje me 5-6 ditë u shërben të gjitha grupeve parlamentare për të qartësuar brenda vetes procesin e këtyre bisedimeve, negociatave mes grupeve parlamentare. Kushtetuta ka përcaktuar qartë nevojën e një dialogu përgjatë 3 raundeve të para. Mirë do të ishte të kishim të gjitha grupet parlamentare që të merrnin kohën e nevojshme për të dialoguar. PS hyn në këto negociata me 3 grupet parlamentare për të zgjedhur një president të të gjithë shqiptarëve”, -tha Balla.

Balla tha se nuk do të ketë publikime të emrave për kandidat për sa kohë janë në fazë bisedimesh, por për pikën që bien dakord të gjitha grupet parlamentare është që presidenti i ri të jetë pa dallime.

Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nisë procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022, sipas Kushtetutës.