Një vrojtim për pasurinë e familjeve shqiptare, nga specialistet e Bankës së Shqipërisë, vlerëson se ato kanë pasuri mesatare 8.5 milionë lekë, shkruan “Monitor”.

Pasuritë e patundshme në përgjithësi dhe banesa kryesore e familjes në veçanti, përbëjnë 80% të totalit të portofolit të pasurisë totale të familjes.

93% e familjeve shqiptare janë pronarë, të plotë ose të pjesshëm, të banesës së tyre kryesore.

Aktivet e tjera të rëndësishme janë automjetet, të cilat zotërohen nga 40% e familjeve, ndjekur nga pasuritë e tjera të patundshme, të cilat zotërohen nga 36% e familjeve.

Ndër pasuritë e tjera të paluajtshme (veç banesës kryesore), 71% e familjeve zotërojnë një tokë, 12% e familjeve një fermë bujqësore, ndërsa 17% e tyre zotërojnë një formë tjetër pasurie të patundshme.

Aktivet që zotërohen më pak nga familjet janë bizneset familjare, që zotërohet nga 13% e familjeve, si dhe sendet me vlerë, që zotërohen nga 12% e familjeve.

Parë sipas kategorive të ndryshme, vërehet se 10% e familjeve kanë llogari rrjedhëse, 7% e familjeve kanë depozitë, 5% e familjeve u kanë dhënë para borxh të tjerëve, dhe një pjesë shumë e vogël e familjeve kanë fonde pensioni dhe letra me vlerë të qeverisë.