Në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit u mbajt një konferencë e përbashkët për shtyp midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe QKLL-së, për të paraqitur programin në nismën e ndërmarrë për herë të parë në Shqipëri për Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, në kuadër të veprimtarive kushtuar 50-vjetorit të themelimit të ASHSH-së. Përfaqësues të këtyre institucioneve shprehën vlerësimet e tyre për arritjen e këtij bashkëpunimi, për të promovuar për herë të parë librin studimor dhe akademik në rang mbarëkombëtar duke përfshirë përfaqësime nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe komuniteti arbëresh.

Në panair do të marrin pjesë 22 institucione të arsimit të lartë, institute dhe qendra shkencore, si dhe 8 ente botuese jopublike, do të paraqiten mbi 2000 tituj studimor dhe akademik dhe do të promovohen veçanërisht botimet e dy viteve të fundit në 52 aktivitete që do të organizohen përgjatë ditëve të panairit, që zhvillohet më 22-24 prill. (Irma)