Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Kineze në Kombet e Bashkuara, Instituti “Konfuci” në Tiranë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, mikpriti veprimtarinë me temë “Kinezishtja, urë lidhëse”, e cila zhvillohet çdo vit në ditën tradicionale kineze “Guyu”.

Të pranishëm në veprimtari ishin ambasadori i Kinës në Tiranë, Zhou Ding, zëvendësrektori i Universitetit të Tiranës, dr. Bernard Dosti, stafi i Institutit “Konfuci”, nxënës dhe studentë të tij, si dhe familjarë të tyre.

Ambasadori Zhou Ding në veprimtari (Foto nga Facebook)

Ambasadori Zhou Ding në veprimtari (Foto nga Facebook)

Drejtori shqiptar i Institutit “Konfuci”, Erion Malaj tha se konkursi rikthehet pas dy vjetësh të zhvillimit “online”, për shkak të pandemisë Covid-19. Përpara nisjes së konkursit, që teston dijet në gjuhën kineze të nxënësve dhe studentëve shqiptarë, pjesëmarrësit i përshëndeti ambasadori i Kinës në Tiranë, Zhou Ding, i cili u shpreh se ky konkurs është bërë një markë e mirënjohur e shkëmbimeve kulturore midis Kinës dhe Shqipërisë.

“Shpresoj që garuesit të vazhdojnë të mësojnë gjuhën kineze me këmbëngulje dhe lumturi dhe të bëhen ambasadorë të miqësisë me Kinën”, -tha ambasadori.

Kulmin veprimtaria e shënoi me performimet e nxënësve dhe studentëve, pjesë e konkursit të sivjetshëm “Kinezishtja, urë lidhëse”. Juria e përbërë nga sinologë, diplomatë dhe profesorë të Institutit Konfuci shpalli fituesit e edicionit të sivjetëm. Me çmime të para u nderuan nxënësja e fillores Mansi Ismaili, nxënësi i shkollës së mesme Lambert Rusi dhe studentja Ana Lena. Ndarja e çmimeve të para u krye nga ambasadori i Kinës, Zhou Ding. Përfaqësuesi nga Kompania “Bankers”, një ndër sponsorët e veprimtarisë shpërndau libra për nxënësit dhe studentët pjesëmarrës në konkurs.

Tematika e konkursit “Kinezishtja, urë lidhëse” e këtij viti është “E gjithë bota një familje”. Konkursi këtë vit kishte edicionin e tij të katërt në Shqipëri.

Drejtori i Institutit Konfuci Erion Malaj (CMG)

Drejtori i Institutit Konfuci Erion Malaj (CMG)