FMN Monitor

FMN Monitor

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në dritën e zhvillimeve të reja në Ukrainë, ka ulur ndjeshëm pritshmërinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë, me më shumë sesa përgjysmim.

Në raportin e prillit të “Pasqyrës Ekonomike Globale”, të sapopublikuar, FMN parashikon që ekonomia shqiptare do të rritet këtë vit me vetëm 2%, nga 4.5% që ishte parashikimi në muajin tetor, përcjell “Monitor”. Ky ngadalësim vjen pasi në vitin 2021, ekonomia vendase u rrit me 8.5%, pas rënies me 3.5% në vitin 2020, kur ekonomia vuajti pasojat e pandemisë. Ritmet e rritjes pritet të jenë të ulëta edhe në vitin 2023, me 2.8% dhe do të përshpejtohet lehtë në 3.4% deri në vitin 2027.

Shqipëria vlerësohet se do të ketë rritjen më të ulët në rajon. Për Malin e Zi vlerësimi është 3.8, për Bosnjë Hercegovinën 2.4%, për Kosovën 2.8%. Maqedonia e Veriut pritet të ketë një rritje prej 3.2%. Më pak pritet ta ndiejë krizën Serbia, që vlerësohet se do të zgjerohet me 3.5% këtë vit dhe do të përshpejtohet në 4% vitet në vijim.

Të gjitha institucionet ndërkombëtare kanë rishikuar në ulje javët e fundit pritshmëritë për rritjen ekonomike, për shkak të efekteve që po jep në ekonominë globale lufta në Ukrainë.