blegtoria, monitor

blegtoria, monitor

Rënia e numrit të krerëve të bagëtive me rreth 20% në pesë vitet e fundit po ndikon në rritjen e çmimeve të prodhimeve vendase, mishit dhe bulmetit, por dhe po përkeqëson bilancin tregtar me jashtë. Rënia e krerëve ishte një ndër faktorët kryesorë për rritjen me rreth 20-40% të çmimeve me pakicë të bulmeteve.

Sipas të dhënave të INSTAT, të cilave u referohet “Monitor”, vitin e kaluar, importi shënoi rekord në dy dekadat e fundit, u importuan 43.8 mijë tonë mish, 9% më shumë se 2020-a dhe 6.4% më shumë se 2019-a. Parashikohet që importet e mishit të rriten më tej gjatë viteve në vijim, për dy arsye themelore. E para lidhet me rënien e shpejtë të numrit të bagëtive. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, numri i fermave që mbarështojnë më shumë se 5 lopë është reduktuar nga 4250 ferma në vitin 2015 në 3472 ferma në vitin 2019, duke konfirmuar vështirësitë e fermerëve me rritjen e kostove të inputeve dhe ushqimit, koston e lartë të punimit të tokës dhe çmimin e ulët të qumështit. Edhe numri i gjedheve për mish po përjeton të njëjtin trend negativ, ndërsa ferma mesatare është gjithashtu shumë e ulët 2.48 gjedhë/fermë. Gjithashtu numri i deleve dhe dhive ra me nga 18% secila në 5 në periudhën 2015-2020.

Së dyti, importet e mishit do të nxiten nga rritja e kërkesës për shkak rritjes së numrit të turistëve. Gjatë vitit të kaluar kanë vizituar vendin rreth 5.7 milionë vizitorë të huaj. Numri i vizitorëve po rritet me ritme dyshifore nga viti në vit, teksa kërkesa për mish po rritet nga baret dhe restorantet.