popullsia rurale, monitor

popullsia rurale, monitor

Tranzicioni demografik në Shqipëri është shndërruar në një problematikë për forcën e punës në të gjithë sektorët e ekonomisë në vend, por bujqësia mbetet më e rrezikuara, pasi popullsia në zonat rurale është duke u tkurrur me ritme më të shpejta se popullsia totale, për shkak të emigracionit të lartë dhe migrimit të brendshëm.

Ministria e Bujqësisë në një strategji për zhvillimin e sektorit në 5 vitet në vijim, e cilëson kapitalin njerëzor në fshat si një sfidë që kërkon zgjidhje emergjente.

Të dhënat tregojnë se popullsia rurale llogaritej në 964.791 banorë në vitin 2019. Përqindja e popullsisë rurale ka rënë vazhdimisht nga 42.57% në vitin 2015 në 38.89% në vitin 2019, e shkaktuar nga emigracioni dhe nivelet më të ulëta të lindjeve. Popullsia në zonat rurale ra me rreth 4% gjatë periudhës 2015-2019, përkundrejt -1.3 % të popullsisë së përgjithshme, përcjell “Monitor”.

Gjithashtu banorët e zonave rurale vijojnë të tërhiqen kryesisht nga zonat urbane, pasi shkalla e urbanizimit është në rritje pavarësisht nga një rënie e përgjithshme e popullsisë.

Sipas parashikimeve, popullsia shqiptare do të ulet me 100.000 njerëz në rreth 2.75 milionë në vitin 2031 krahasuar me vitin 2020, e cila do të jetë kryesisht në zonat rurale, duke zgjeruar më tej hendekun e madh social-ekonomik midis zonave urbane dhe rurale pa kundërmasa.

Këto lëvizje po çojnë në një plakje të shpejtë të popullsisë në fshat, duke rrezikuar dhe zhvillimin e bujqësisë.