popullsia e shqiperise, monitor

popullsia e shqiperise, monitor

Instituti i Statistikave bëri të ditur se popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2022 rezultoi të ishte 2.793.592 banorë, duke pësuar një rënie me 1.3%, krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2021 shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) ishte -3.296 banorë, duke shënuar për herë të parë shtesë natyrore negative.

Numri i imigrantëve në vitin 2021 ishte 9.195 persona dhe ai i emigrantëve ishte 42.048 persona. Migracioni neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve) pësoi një rritje në vlerë absolute, krahasuar me një vit më parë: nga -16.684 në -32.853 banorë në 2021.

Në 1 janar 2022 mosha medianë e popullsisë rezultoi 38,2 vjeç nga 37,6 që ishte më 1 janar 2021. Në 1 janar 2022 raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua krahasuar me 1 janar 2021: nga 24,2 % në 24,0 %, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit: nga 22,3 % në 23,1 % gjatë të njëjtës periudhë. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej më 1 janar 2022 ka pësuar rënie në krahasim me 1 janar 2021: nga 99,3 në 98,6 meshkuj për 100 femra. Raporti gjinor në lindje u rrit, duke shënuar vlerën 107,5 në vitin 2021, nga 106,6 që ishte në vitin 2020.

Gjatë vitit 2021 lindën 27.284 foshnja, duke pësuar një rënie prej 2,8 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2021 ishte 30.580 persona, duke patur një rritje prej 10,8 %, krahasuar me një vit më parë.

Në vitin 2021 numri i emigrantëve ishte 42.048 persona dhe numri i imigrantëve ishte 9.195 persona. (Irma)