Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit “Moddy’s” rikonfirmon vlerësimin e ekonomisë shqiptare në B1, ndërsa rishikon me ulje parashikimin për rritjen e prodhimit të brendshëm bruto për vitet 2022 e 2023, përkatësisht 3.4% dhe 3.6%, nga 4.5% dhe 4.0% që e kishte më parë.

Moodys, monitor

Moodys, monitor

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, cituar nga “Monitor”, “Moddy’s”vlerëson se rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë ishte e fortë, me bazë të gjerë pasi gjatë goditjeve të tërmetit dhe pandemisë u ruajt stabiliteti makroekonomik.

Kontraktimi i PBB në 2020 (gjatë pandemisë) ishte më i zbutur dhe rimarrja gjatë 2021 ishte më e fortë se sa pritshmëritë fillestare të agjencisë. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit me 8.5% në 2021, duke tejkaluar tashmë nivelin e PBB para tërmetit dhe pandemisë.

Agjencia ka rishikuar në ulje parashikimin e saj të rritjes së PBB në përkatësisht 3.4% dhe 3.6%, (nga 4.5% dhe 4.0% që e kishte më parë), për shkak të ndikimit ekonomik negativ, kryesisht indirekt, të konfliktit ushtarak Rusi-Ukrainë dhe sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë.

Agjencia vlerëson se borxhi publik, pasi u rrit në nivelin 74.5 % të PBB në vitin 2020 për shkak të goditjeve të pandemisë dhe tërmetit, filloi të bjerë serish në vitin 2021 në nivelin 73.2%. Agjencia parashikon se kjo trajektore rënëse e borxhit publik do vijojë edhe me tej dhe parashikon një nivel prej 72.6% dhe 72.3% respektivisht për vitet 2022 dhe 2023.

Gjithashtu, agjencia vlerëson se, pavarësisht nga rritja e borxhit (gjatë pandemisë), parametrat e përballueshmërisë së borxhit për vitet 2022 dhe 2023 do vijojnë të jenë në nivelet e para pandemisë (me shpenzime për interesat e borxhit publik sa 7.6% e të ardhurave buxhetore) dhe më poshtë se sa mesatarja e dekadës së fundit (prej 9.7%).

Agjensia parashikon që inflacioni i çmimeve të konsumit të mbetet mbi 5% në pjesën e mbetur të vitit 2022 dhe më pas të zbutet në 3.5% në fund të vitit 2023. Për vitin e plotë 2022 dhe 2023, agjencia parashikon që inflacioni i çmimeve të konsumit të jetë përkatësisht 5.3% dhe 3.8%, pas nivelit prej 2.1% të regjistruar në 2021. (Irma)