Foto:monitor

Foto:monitor

Instituti i Statistikave njoftoi se më 1 tetor të këtij viti do të nisë zyrtarisht censi i popullsisë, për të cilin gjatë vitit 2021 u zhvilluan hallkat e nevojshme të parapërgatitjes.

Në raportin vjetor të INSTAT-it, cituar nga “Monitor”, thuhet se procesi pritet të zgjasë 6 javë.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2022 do të finalizohen të gjitha materialet e nevojshme për realizimin e censit dhe do të vijojë puna me reflektimin e përmirësimeve të mundshme të rezultuara nga gjetjet e cencit pilot dhe më pas konsolidimi i të gjithë aplikacioneve, manualeve, materialeve të trajnimit dhe materialeve të tjera mbështetëse.

“Aktivitetet do të vazhdojnë me përditësimin e zonave specifike në terren të censit (ZC), objekte në ndërtim, të identifikuara gjatë përditësimit të hartave të kryer gjatë vitit 2021. Gjithashtu, aktivitetet e hartave të censit në fazën e paranumërimit, gjatë dhe pas censit do të vazhdojnë me kontrollet e cilësisë së të dhënave të ardhura nga terreni dhe përditësimin e gjeodatabazës, përditësimin e kufijve të Zonave të Censit, gjeokodifikimin e njësive gjeografike, përgatitjen e hartave digjitale të Zonave të Censit për të gjithë zinxhirin e stafit të terrenit”, -thuhet në raportin vjetor të Institutit të Statistikave. (Irma)