Foto:ATSH

Foto:ATSH

Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, deklaroi se bashkëpunimi rajonal sidomos mes administratave doganore është mjaft i rëndësishëm për lehtësimin e tregtisë.

Gjatë një workshop-i, në Tiranë, për prezantimin e projektit “Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal”, Gazheli tha se ai ofron asistencë në fushën e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar për strukturat e CEFTA-s në përpjekje për të thelluar më tej integrimin ekonomik rajonal dhe përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, raporton “ATSH”.

Sipas tij, ky projekt pilot realizohet vetëm pas disa muajsh nga depozitimi i kërkesës së Administratës Doganore pranë Sekretariatit CEFTA për njohjen dhe validimin e programit të Operatorëve Ekonomikë.

Gazheli u shpreh se vitet e fundit Dogana Shqiptare ka punuar intensivisht për hartimin e Dispozitave Zbatuese për Kodin e ri Doganor, duke synuar jo vetëm përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, por dhe futjen e procedurave të reja të parashikuara prej tij, të cilat nënkuptojnë nevojën për një bashkëpunim më të madh në binomin Doganë-Biznes. (Irma)