Qeveria shqiptare vendosi futjen në përdorim të biletave elektronike në transportin rrugor ndërqytetës, duke i dhënë fund përdorimit të biletave në format të shtypur.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi të mërkurën se ndryshimet në vendimin për përcaktimin e rregullave për përdorimin e biletave në transportin rrugor janë miratuar në Këshillin e Ministrave.

“Këto ndryshime bëhen me qëllim plotësimin e kuadrit ligjor për përdorimin e sistemit e-transport”, -deklaroi ministrja pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.

Ndryshimet, tha ajo, janë në përputhje me ligjin për transportin rrugor dhe ligjin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.

“Ky projektligj sjell disa risi të rëndësishme, pasi hiqen biletat në format të shtypur për transportin ndërqytetës. Prerja e biletave do të bëhet përmes sistemit elektronik të fiskalizuar e-transport, online, ose përmes pajisjeve. Prerja e biletave do të bëhet në agjenci, mjete autobus dhe kudo tjetër”, -bëri të ditur Balluku.

Sipas saj, platforma elektronike garanton ciklin e plotë të prerjes së biletave dhe shtohen elementët e faturës së fiskalizuar.