Foto:ATSH

Foto:ATSH

Hapet në Tiranë Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për fëmijët, që ofron diagnostikimin, kurimin, edukimin dhe trajtimin e problemeve të mirërritjes, zhvillimit dhe rehabilitimit të fëmijëve të moshës 0-6 vjeç.

Misioni i saj kryesor është përmirësimi i cilësisë së jetës të fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe ofrimit të mbështetjes për prindërit e tyre në procesin e mirërritjes, kujdesit dhe edukimit të tyre.

Kryeministri Edi Rama vizitoi të mërkurën qendrën e re, infrastruktura e së cilës mundëson për vogëlushët nga e gjithë Shqipëria, mjedise argëtuese dhe kushte optimale për të trajtuar problematikat e tyre dhe ku shërbimi dhe akomodimi është falas, si për fëmijën, ashtu edhe për nënën.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se qendra, e dëmtuar nga tërmeti, është rehabilituar në kuadër të investimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të trajtojë fëmijë me autizëm, me sindromën Down, fëmijë me çrregullime fizike.

E veçanta e qendrës është fakti që ajo ofron shërbim rezidencial për fëmijët dhe prindërit e tyre.

Në institucion shërbejnë mjekë neuropediatër, psikiatër, pediatër, psikologë, punonjës social, terapist grupi, logopedist, ergoterapist, terapist zhvillimi, fizioterapist.