Është përuruar të martën Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, që u bë e mundur falë grantit prej 1 milion eurosh të vënë në dispozicion nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi e cilësoi këtë një investim shumë të rëndësishëm, i cili sjell një tjetër standard të lartë në shërbimin dhe menaxhimin e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri.

Ministri Peleshi shprehu mirënjohjen e popullit shqiptar për angazhimin e Italisë në situata emergjente dhe kritike si ajo e tërmetit të vitit 2019 apo edhe përgjatë pandemisë Covid-19.

“Ambicia jonë është e madhe, së bashku me bashkinë e Tiranës ne jemi përkrah në këtë hap të parë që do të shoqërohet më tej, nga një program shumë më i madh prej 30 milionë eurosh, në kuadër të një ndihme prej 95 milionë eurosh dhe këtu Italia ka rolin e liderit. Pra, kemi bërë hapin e parë për të shkuar drejt një sistemi vërtet modern, bashkëkohor të mbrojtjes civile, për t’iu përgjigjur në kohë, krah për krah me bashkitë që janë në frontin e parë me emergjencat civile, çdo lloj fatkeqësie natyrore e për të mbrojtur qytetarët tanë”, -u shpreh gjatë fjalës së tij, ministri Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes sqaroi se në këtë qendër do të ketë vendin e vet çdo institucion përgjegjës për mbrojtjen civile. Peleshi njoftoi se falë projektit tjetër do të nisin investimet edhe në bashkitë e vendit, për të bërë të mundur një reagim të menjëhershëm dhe profesional në raste zjarresh apo përmbytjesh.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, e vendosur në një mjedis të vënë në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, do të përmirësojë koordinimin dhe komunikimin e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në rastet e emergjencave.