Foto: ATSH

Foto: ATSH

Kryetarja e Komisionit parlamentar shqiptar për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, zhvilloi një vizitë dyditore në Berlin me ftesë të homologut gjerman, Michael Roth, e shoqëruar edhe nga kryetarja e Komisionit për Integrimin Evropian, Jorida Tabaku.

Përmes një postimi zyrtar, Kodheli deklaroi se Roth u shpreh se integrimi evropian i Shqipërisë është një rrugë pa kthim dhe se tashmë është detyra e BE-së që të mbajë fjalën me Tiranën dhe Shkupin zyrtar.

Ruth vlerësoi prezencën së bashku të Kodhelit dhe Tabakut dhe tha se kjo është një sinjal se opozita dhe mazhoranca në Shqipëri janë në të njëjtën linjë mendimi sa i përket integrimit evropian.

Kodheli falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen në çdo kohë që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë, duke u shndërruar në një prej partnerëve më të besueshëm.

Gjatë qëndrimit në Berlin, Kodheli u takua edhe me Raporterin për Ballkanin Perëndimor në Komitetin e Punëve të Jashtme në Bundestag, Adis Ahmetovic, i cili vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe tha se Ballkani Perëndimor meriton më shumë vëmendje dhe se çdo sinjal politik perëndimor në rajon do të ishte mëse i mirëpritur veçanërisht nga qytetarët e këtyre vendeve. (Irma)