Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, deklaroi se është ngritur një grup pune për marrjen e masave për arsimimin e përkohshëm dhe mbështetjen psiko-sociale të fëmijëve të ardhur nga Ukraina, pas shpërthimit të konfliktit me Rusinë.

Përmes një njoftimi zyrtar, ministrja Kushi tha se ky grup do të koordinojë punën me strukturat arsimore në çdo bashki për krijimin e një klime pozitive, mbështetëse dhe të sigurt, duke hartuar edhe një program të posaçëm për arsimimin e tyre.

Ministrja zhvilloi një takim me ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, me të cilin diskutuan detajet për organizimin e këtij procesi, në mënyrë që këtyre fëmijëve t'u ofrohet gjithçka duhet për një mjedis mikpritës, të ngrohtë e sa më miqësor. (Irma)