Një enë e plotë qeramike, që i takon “Kulturës Ilire të tumave të Matit” u identifikua në fshatin Kthellë të Mirditës.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bëri të ditur përmes një njoftimi se specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore realizuan hulumtimin në terren të gjetjeve arkeologjike rastësore, pas njoftimit të dhënë nga banorët e zonës, pranë fshatit Kthellë në Mirditë, ku në sipërfaqe u konstatuan fragmente qeramike, bronzi, eshtrash etj. Po në sipërfaqe u gjet edhe një enë e plotë.
Sipas studimeve paraprake, rezulton se objekti i zbuluar është një enë qeramike me dy vegje vertikale, të zhvilluara mbi buzë, që daton në periudhën e hekurit. Ministrja Margariti bëri të ditur se specialistët e Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë IKTK-së realizuan gjithë procesin e pastrimit dhe të restaurimit të enës, si edhe regjistrimin e saj si pasuri kulturore në “Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore”. (Irma)