Xhamia e Kuqe në Berat, një nga më të vjetrat në qytet, e cila u dëmtua pak ditë më parë nga moti i keq, do të ruhet si monument.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat që Xhamia e Kuqe, në Kalanë e Beratit, jo vetëm të ruhet por edhe të mos paraqesë asnjë rrezik për banorët.

“Për shkak të vetëtimave dhe një shkarkese e madhe pranë rrënojave të Xhamisë së Kuqe në kalanë e Beratit, u dëmtuan elementet dekorative të tullave në krye të minares. Nga goditja gjithashtu një pjesë e muraturës pësoi një çarje vertikale”, -tha Margariti.

Sipas specialistëve, bazamenti i minares është në gjendje shumë të mirë, por, në lartësinë rreth 3.5 m janë krijuar çarje, pikërisht në pjesët ku ngushtohet seksioni i minaresë.

Specialistët kryen menjëherë verifikimet e dëmit, kryen pastrimet dhe ndërhyrjet paraprake për të liruar rrugën dhe siguruan objektin, duke shmangur çdo lloj rreziku.

Për nga teknika e ndërtimit dhe nga vendndodhja e saj mendohet se xhamia është ndërtuar në fillim të shekullit XV. Ajo u ka shërbyer karvaneve që vinin nga lindja në perëndim dhe më vonë i ka shërbyer garnizonit turk.