Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi praninë e nënvarianteve BA1 dhe BA2 të variantit Omikron të Covid-19 edhe në Shqipëri.

ISHP njoftoi se nga 556 mostrat e dërguara në laboratorin në Berlin të Gjermanisë, 476 rezultuan me variantin BA1 dhe 46 me BA2, ndërsa 18 me variantin Delta.

ISHP bëri të ditur se BA2 mund të shndërrohet në variant dominues, për shkak të transmetueshmërisë së lartë.

Sipas medieve shqiptare, prej javësh specialistët kishin dyshime për qarkullimin e një varianti tjetër të koronavirusit, edhe më të transmetueshëm se Omikron, pasi është vënë re rritje e rasteve të infektimeve. Ekspertët thonë se vaksinimi me 2 dhe 3 doza ndihmon për ta kaluar më lehtë sëmundjen.

Ndryshe nga Omikron, nënvarinati i tij BA2 është shumë më ngjitës dhe përhapet më shpejt.

Thuajse e gjithë Europa ka rritje të rasteve nga ky mutacion, i cili ka shenja të ngjashme me variantin Omikron, por sipas specialistëve kalohet rëndë nga të pavaksinuarit.