gripi i shpendeve, atsh

gripi i shpendeve, atsh

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftoi se është evidentuar një rast i ri për gripin e shpendëve në fshatin Aliban në Vlorë.

Në përditësimin mbi situatën, ministria bëri të ditur përmes një deklarate zyrtare se Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëvevazhdon monitorimin e kujdesshëm dhe kontrollet në ferma me drejtim prodhimtari vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e vendit dhe nuk është konstatuar asnjë stabiliment me drejtim prodhim për mish të infektuar.

Sipas ministrisë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon rregullisht kontrollet, duke mos konstatuar shkelje apo problematika.

“Kemi marrë zotim nga bashkitë për bashkëpunim të plotë në lidhje me marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjalla në mjediset e hapura të pamiratuara për shitje”, -bëhet e ditur në njoftimin e ministrisë.

Ministria njoftoi se vazhdon fushata sensibilizuese për informimin e fermerëve mbi evidentimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara.

“Konsumatori shqiptar është e rëndësishme të ndihet i sigurt, se ushqimet në treg, në qendrat e licencuara janë të kontrolluara. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperaturë më të larta se 70 gradë celsius”, -thuhet në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë. (Irma)