Foto:ATSH

Foto:ATSH

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Mimi Kodheli priti në një takim delegacionin e Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Kroaci-Shqipëri, kryesuar nga Ermina Lekaj Prljaskaj.

Gjatë takimit u diskutua për çështje të marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kroacisë, çështjet e proceseve të integrimit dhe zgjerimit evropian si dhe mbi çështje të aktualitetit ndërkombëtar.

Në takim u theksua vullneti i përbashkët për intensifikimin e vazhdueshëm e të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Po ashtu u diskua për një sërë projektesh e mundësish bashkëpunimi që mund të zhvillohen në kuadrin e partneritetit strategjik si: vendosja e linjës detare për pasagjerë Durrës-Rijeka, vendosja e fluturimeve direkte Tiranë-Zagreb, finalizimi i një memorandumi bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, projektet për pastrimin e detit, bashkëpunimi universitar në fushën e mjekësisë, turizmit dhe atë detar etj., citon “ATSH”.

Kodheli vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike dypalëshe si dhe mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Parlamentarja kroate shprehu bindjen se marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore midis dy vendeve kanë një potencial të madh për t’u forcuar e zhvilluar edhe më tej, veçanërisht në fushën ekonomike dhe atë të infrastrukturës. (Irma)