Foto: ATSH

Foto: ATSH

Titulli “Kryeqytet Evropian i Rinisë për vitin 2022″ vetëm në dy muajt e parë ka sjellë në Tiranë plot 100 aktivitete.

Në një prej këtyre aktiviteteve, nga fushat multisportive të Parkut të Liqenit Artificial, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se kryeqyteti shqiptar po dëshmon çdo ditë e më shumë, teksa pret të rinj nga e gjithë Evropa, se e meriton këtë titull dhe vlerë absolute për këtë veçoi bashkëjetesën në një qytet me komunitete të të gjitha ngjyrave.

“Është një mundësi fantastike për të treguar sa mendjehapur është Tirana. Pavarësisht sfidave që kemi, në këtë qytet kemi mësuar të bashkëjetojmë me njëri-tjetrin, kemi mësuar të tolerojmë njëri-tjetrin”, -u shpreh Veliaj.

Në ndeshjen e volejbollit me të rinjtë amerikanë dhe vullnetarë të Federatës se Paqes, në kuadër edhe të javës së sportit në Tiranë, Veliaj tha se bashkia e ka treguar vëmendjen te sporti përmes investimeve në terrene të reja sportive.

“Sporti është një mjet për të lidhur njerëzit. Duam të vazhdojmë të njëjtin investim, siç kemi bërë këtu fushën e basketbollit, të volejbollit, të futbollit, edhe për federatat e tjera. Besoj shumë se sporti është ndoshta diplomacia më e mirë, është një mënyrë që i bashkon njerëzit. Ndaj, shpresoj shumë se e gjithë kjo javë që ia kemi dedikuar sportit, këtyre terreneve të reja dhe miqësisë mes popujve, të jetë një investim i mirë”, -deklaroi ai.