Foto: ATSH

Foto: ATSH

Disa qindra vullnetarë dhe familjarë të fëmijëve me aftësi të kufizuara marshuan të dielën në rrugët kryesore të Tiranës, duke kërkuar plotësimin e të drejtave të tyre.

Në prag të Ditës Botërore të Sindromit Down, ata bënë thirrje për më shumë kujdes nga shoqëria dhe institucionet shtetërore në shërbim të fëmijëve me aftësi ndryshe si dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore për trajtimin më të mirë të tyre.

Shqipëria ka ratifikuar Konventën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, duke marrë përsipër që t’i zbatojë këto të drejta.

Shqipëria ka aktualisht afro 1 mijë e 300 mësues ndihmës, që ndihmojnë rreth 3 mijë e 500 fëmijë me paaftësi të ndryshme.

Pjesa më e madhe e fëmijëve me aftësi të kufizuara jetojnë në Tiranë, ku edhe janë përqëndruar shumica e shërbimeve të kualifikuara për ta.

Tirana ka aktualisht 720 fëmijë me aftësi ndryshe nga sistemi parashkollor deri në klasën e dymbëdhjetë, si dhe 250 mësues ndihmës në shërbim të tyre.