351 shtetas nga Ukraina janë aktualisht në Shqipëri nën mbrojtjen e përkohshme sipas kuadrit të plotë ligjor për azilin. Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi, në një takim me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, garantoi për mbështetjen e Shqipërisë për shtetasit e Ukrainës që kanë ardhur apo që mund të mbërrijnë në të ardhmen për shkak të konfliktit me Rusinë.

“Aktualisht në Shqipëri po qëndrojnë 351 shtetas nga Ukraina, të cilëve iu është dhënë mbrojtja e përkohshme sipas kuadrit të plotë ligjor që ne kemi për azilin. Të tjera masa lehtësuese për hyrjen dhe qëndrimin e tyre do të miratojmë në vijim nëse është e nevojshme, për t’iu gjendur pranë atyre që largohen nga konflikti”,- deklaroi ministri.

Sipas tij, Shqipëria është një shembull shumë domethënës kur është fjala te solidariteti dhe pritja e njerëzve në nevojë.

“E dëshmuam këtë edhe së fundi me afganët që strehuam në vendin tonë dhe po kështu do të bashkërendojmë përpjekjet me vende të tjera të BE-së për t’iu gjendur pranë popullit të Ukrainës në këto kohë të vështira”, -nënvizoi Çuçi.